PDK – Dega në Gjilan përkujton heroin e kombit Kadri Zeka në 44-vjetorin e vrasjes së tij, së bashku me vëllezërit Gërvalla, Jusuf dhe Bardhosh Gërvalla, martirë të çështjes kombëtare.
Me këtë rast, përfaqësues të PDK-së në Gjilan bënë homazhe dhe vendosën lule pranë varrit të heroit Kadri Zeka, si dhe pranë shtatorës së tij, duke nderuar jetën dhe veprën e këtyre figurave të shquara të rezistencës kombëtare.
Sakrifica e Kadri Zekës dhe e vëllezërve Gërvalla për lirinë e Kosovës mbetet një nga kapitujt më të ndritshëm të historisë sonë të re.
Këto përkujtime realizohen në kuadër të manifestimit tradicional “Flaka e Janarit”, i cili çdo vit shërben si simbol i kujtesës historike, unitetit kombëtar dhe respektit të përhershëm për ata që dhanë jetën për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Figura e Kadri Zekës dhe e vëllezërve Gërvalla mbetet frymëzim i vazhdueshëm për brezat e sotëm dhe të ardhshëm, në përpjekjet për ndërtimin e një shoqërie të drejtë, demokratike dhe me vlera kombëtare.

