Asambleisti i LVV-së, Fadil Ademi, reagon për shembjen e dheut në fshatin Llovcë
Këshilltari komunal nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fadil Ademi, i zgjedhur për herë të parë asambleist në Kuvendin Komunal të Gjilanit, ka reaguar lidhur me një rast të shembjes së dheut në fshatin Llovcë, duke adresuar shqetësimin pranë organeve komunale.
Ademi ka njoftuar për reagimin e tij përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka vlerësuar ndërhyrjen e shpejtë të institucioneve komunale.
“Si asambleist, ndjej për obligim moral të jem gjithmonë pranë qytetarëve dhe shqetësimeve të tyre.
Falënderoj Drejtorinë e Shërbimeve Publike për reagimin e shpejtë në sanimin e gropave në rrugën ‘Nëna Ajshe’ dhe largimin e dheut në fshatin Llovcë, ku rrëshqitja paraqiste rrezik serioz për sigurinë e banorëve dhe qarkullimin e lirë,” ka shkruar Ademi.
Ai ka theksuar se zëri i qytetarëve mbetet prioritet i angazhimit të tij politik.
“Zëri i qytetarëve është përgjegjësi për mua. Do të vazhdoj të jem pranë tyre, me përkushtim dhe gatishmëri, në çdo kohë dhe në çdo vend. Sepse komuna jonë dhe njerëzit e saj meritojnë vëmendje dhe kujdes të vazhdueshëm,” ka përfunduar asambleisti Ademi.

