Stacioni i ri i autobusëve dhe sfidat e transportit urban në Gjilan
Nga Bashkim Isufi
Ndërtimi i Stacionit të ri të Autobusëve në Gjilan është një investim i rëndësishëm për lidhjet rajonale dhe ndërkombëtare.
Megjithatë, qytetarët e Gjilanit vazhdojnë të përballen me mungesën e transportit urban brenda qytetit.
Ndërsa stacioni i ri do të përmirësojë lidhjet ndërurbane, është e domosdoshme të zhvillohet një strategji e qëndrueshme për linjat e autobusëve urban, që të lidhin lagjet dhe zonat kryesore të qytetit.
Vetëm kështu investimi do të ndikojë realisht në lëvizjen e përditshme të qytetarëve.
Para se të flitet për transport rajonal, duhet të sigurohet infrastruktura bazë brenda qytetit, rrugë, trotuare, sheshe dhe transport urban funksional.
Këto janë themeli i çdo projekti të madh transporti. Një plan strategjik që kombinon transportin urban me investimet ndërkombëtare do të përmirësojë jo vetëm lëvizjen, por edhe jetën e përditshme të qytetarëve të Gjilanit.
Ky projekt tregon angazhimin e komunës dhe të Qeverisë, por sfida e transportit urban mbetet një prioritet që kërkon zgjidhje të menjëhershme.
Një qasje e balancuar dhe strategjikisht e planifikuar do të sigurojë që investimi të ketë efekt të qëndrueshëm dhe të ndihmojë realisht zhvillimin rajonal.
(Autori është jurist i diplomuar)

