Talentja gjilanase Vesa Xhymshiti në dy olimpiada ndërkombëtare të matematikës

Talentja gjilanase e matematikës Vesa Xhymshiti përfaqëson Kosovën në dy olimpiada prestigjioze evropiane

Muaji prill i vitit 2026 do të jetë i veçantë për talenten gjilanase të matematikës, Vesa Xhymshiti, e cila do ta përfaqësojë Kosova në dy nga olimpiadat më prestigjioze evropiane të matematikës.

Vesa është përzgjedhur për pjesëmarrje në European Girls’ Mathematical Olympiad (EGMO 2026), e cila do të mbahet në Bordeaux, Francë, nga 9 deri më 15 prill 2026.

Pas Testit Selektues (TST EGMO 2026), ku konkurruan nxënëset më të mira nga klasa VII–XII në nivel vendi, ajo zuri vendin e parë, ndonëse është vetëm nxënëse e klasës së tetë. EGMO konsiderohet një ndër garat më të rëndësishme ndërkombëtare për vajza në fushën e matematikës, me pjesëmarrje nga rreth 60 shtete të botës.

Po ashtu, Vesa është përzgjedhur edhe për European Math Olympiad (EMO 2026), që do të zhvillohet në Vilnius, Lituani, nga 23 deri më 29 prill 2026.

Nga testi përzgjedhës për ekipin përfaqësues të Kosovës, ku morën pjesë nxënësit më të mirë nga klasa VII–XII, u përzgjodhën gjashtë nxënës me rezultatet më të larta, ndër ta edhe Vesa, si e vetmja nxënëse e arsimit fillor në mesin e pesë nxënësve të shkollave të mesme.

Kjo nuk është hera e parë që Vesa Xhymshiti përfaqëson Kosovën në gara ndërkombëtare.

Ajo ishte pjesë e ekipit të Kosovës edhe në EGMO 2025, ku, si pjesëmarrësja më e re, u vlerësua me Mirënjohje Nderi.

Prilli 2026 do të shënojë kështu një tjetër kapitull të rëndësishëm suksesi për Vesa Xhymshitin dhe për matematikën kosovare në arenën evropiane.

Shpërndaj me të tjerët