Drita e nis mbarë ëndrrën evropiane

 

Drita ka shënuar fitore të rëndësishme në ndeshjen e parë të fazës kualifikuese të UEFA Champions League, duke mposhtur skuadrën nga Luksemburgu, FC Differdange 03, me rezultat 1:0.

Heroi i ndeshjes ishte Arb Manaj, i cili realizoi golin vendimtar në minutën e 73-të, duke ndezur stadiumin “Fadil Vokrri” dhe zemrat e gjithë tifozëve gjilanas.

 Edhe pse rezultati mbeti i ngushtë, Drita krijoi disa raste të mira për gol, por fati dhe saktësia në fund vendosën për një avantazh minimal.

“Ishte një ndeshje e vështirë. Nuk kishim shumë informacione për kundërshtarin, por e menaxhuam mirë dhe shënuam. Ky gol mund të jetë vendimtar për kualifikim”, tha trajneri Zekirija Ramadani pas ndeshjes.

Ndeshja e kthimit do të luhet pas një jave në Luksemburg – ku gjithçka mbetet e hapur, por fitorja dhe morali janë në anën e Dritës!

 

Shpërndaj me të tjerët