POLITIKË LOKALE | Sokol Haziri kritikon projektin e bulevardit dhe ndërhyrjet në Parkun e Qytetit

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në Gjilan, Sokol Haziri, ka reaguar ndaj punimeve që po zhvillohen në qendër të qytetit, duke shprehur shqetësime si për ndërhyrjet në Parkun e Qytetit, ashtu edhe për mënyrën e procedimit të projektit të bulevardit.

Haziri i ka cilësuar ndërhyrjet në park si një “masakër ekologjike”, duke thënë se po shkatërrohet e vetmja oazë e gjelbër në qendër të Gjilanit.

Sipas tij, prerja e gjelbërimit dhe ndërhyrjet pa debat publik e pa transparencë po i heqin qytetit “mushkëritë” e tij natyrore.

Ai ka kërkuar që institucionet të sqarojnë arsyet e ndërhyrjeve, alternativat e shqyrtuara dhe ndikimin e projektit në mjedis, duke theksuar se zhvillimi nuk duhet të bëhet në kurriz të natyrës dhe shëndetit të qytetarëve.

Sa i përket projektit të bulevardit, Haziri është shprehur se AAK nuk është kundër zhvillimit të qytetit apo ndërtimit të bulevardit, por kundërshton mënyrën se si po realizohet projekti.

Sipas tij, projekti po shtyhet përpara pa një planifikim të detajuar, pa debat në Kuvendin Komunal dhe pa konsultim publik me qytetarët, bizneset dhe ekspertët.

Ai ka theksuar se nuk është prezantuar studim fizibiliteti, nuk dihet kostoja e plotë e projektit, burimet e financimit dhe ndikimi që ai do të ketë në buxhetin komunal.

Po ashtu, Haziri ka ngritur shqetësime për mungesën e një plani alternativ për menaxhimin e trafikut, funksionimin e shërbimeve emergjente dhe qasjen e qytetarëve e bizneseve gjatë zhvillimit të punimeve.

Ai ka kërkuar që, para çdo vendimi, të prezantohet plani i detajuar i projektit, studimi i fizibilitetit, kostoja financiare, burimet e financimit dhe plani për menaxhimin e trafikut, ndërsa ka insistuar që projekti të diskutohet në Kuvendin Komunal dhe të zhvillohet konsultim i hapur me qytetarët.

Në fund, Haziri ka theksuar se Gjilani meriton projekte serioze, të planifikuara mirë dhe të ndërtuara mbi transparencë, ligjshmëri dhe interes publik.

Ai ka shtuar se qyteti ka nevojë për më shumë gjelbërim dhe zhvillim të qëndrueshëm, e jo për vendime që, sipas tij, rrezikojnë të krijojnë më shumë probleme sesa zgjidhje.

Shpërndaj me të tjerët