LOKALE/Policia e Gjilanit organizon ligjëratë vetëdijesuese për kancerin e gjirit

Gjilan, 26 tetor 2026 – Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan, respektivisht Njësia e Komunitetit pranë Stacionit Policor në Gjilan, ka zhvilluar një aktivitet të rëndësishëm në kuadër të projektit “Me ty për shëndetin tënd”, nën moton “Ji më e fortë se çdo sfidë”.

​Në ambientet e Stacionit Policor, sot është mbajtur një ligjëratë vetëdijesuese e dedikuar për pjesëtarët e Policisë së Kosovës, me qëllim të ngritjes së vetëdijes për rëndësinë e ndërgjegjësimit dhe parandalimit të kancerit të gjirit.

​Ky aktivitet u organizua në bashkëpunim të ngushtë me Drejtorinë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale të Komunës së Gjilanit. Ligjërata u drejtua nga mjekja Dr. Elvana Klaiqi dhe infermierja Mimoza Kurteshi Hajdari, të cilat trajtuan aspektet kyçe të shëndetit parandalues.

​Gjatë prezantimit, u vu theksi i veçantë te rëndësia e informimit të drejtë, kryerjes së kontrolleve të rregullta mjekësore dhe zbulimit të hershëm të sëmundjes, si faktorë kryesorë për një trajtim të suksesshëm.

​Përmes këtij aktiviteti, Policia e Kosovës synon jo vetëm të kontribuojë në rritjen e vetëdijes brenda strukturave të saj dhe në shoqëri, por edhe të përcjellë mesazhe të fuqishme solidariteti dhe mbështetjeje të plotë për të gjithë personat e prekur nga kanceri i gjirit.

Shpërndaj me të tjerët