Akademi solemne në nderim të përkthyesit Feti Mehdiu
Kryesia e Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, përmes Drejtorisë për Kulturë dhe Veprimtari Botuese, ka organizuar sot një Akademi Solemne kushtuar 40-vjetorit të botimit në gjuhën shqipe të Kuranit fisnik.
Ky jubile shënon një moment historik për besimtarët myslimanë shqiptarë, pasi botimi i parë i plotë i Kuranit në gjuhën shqipe, në vitin 1985, përbën një arritje të madhe në përhapjen e dijes fetare dhe studimeve islame në gjuhën amtare.
Në fjalën e tij, Ramadan Shkodra, drejtor për Kulturë dhe Veprimtari Botuese, theksoi se kjo akademi është organizuar për të vlerësuar kontributin e përkthyesit Feti Mehdiu, i cili me punën e tij i ka dhënë një dimension të ri besimit dhe dijes islame në hapësirën shqiptare.
Ndërkaq, Myftiu Naim ef. Tërnava vlerësoi lart veprën e Mehdiut, duke thënë se me këtë përkthim ai “i ka shërbyer njëkohësisht Islamit dhe atdheut”.
Në këtë ngjarje mori fjalën edhe Hysen Matoshi, i cili tha se përkthimi i librave të shenjtë shkon përtej dimensionit fetar, pasi ka ndikuar në emancipimin dhe formësimin e shoqërisë shqiptare.
Vetë përkthyesi, Feti Mehdiu, u shpreh i lumtur që “tash e 40 vjet Kurani në shqip lexohet i plotë dhe nga të gjithë”.
Në përmbyllje të akademisë, u hap edhe një ekspozitë me botime të ndryshme të përkthimeve të Kuranit, si dëshmi e përkushtimit të vazhdueshëm për ta sjellë Fjalën e Zotit më afër besimtarëve shqiptarë.

