Jam polake, por Agim Ramadani është edhe heroi im

 

Weronika Kochan, gazetarja polake që po shkruan librin për luftën në Kosovë: “Historia juaj nuk duhet të heshtë”

“Po, unë jam polake, por Agim Ramadani është gjithashtu heroi im. Po, unë jam reportere, por është njerëzore të simpatizosh simbolet e lirisë. Po, liria mund të interpretohet në mënyra të ndryshme, por nëse shkon në vijën e parë jo për të luftuar për plaçkë ose territor, por për të çliruar fëmijë, gra, të moshuar dhe burra të tjerë nga një regjim, objektivisht, je një njeri i mirë”, kështu e nis rrëfimin e saj për Kosovën gazetarja polake Weronika Kochan (Kočan).

Një reportazh për lirinë dhe të vërtetën

Kochan, vetëm 21 vjeçe, prej dy vitesh jeton në Pejë, ku po përgatit një reportazh dhe libër mbi rrugën e Kosovës drejt pavarësisë. Ajo është reportere e pavarur nga Varshava dhe punon e shkruan vetë, pa mbështetje institucionale.

“Nuk kam familje shqiptare, jam njëqind përqind polake… por kam dashuri për Kosovën. Në Poloni kemi përjetuar të njëjtën dhimbje gjatë Holokaustit, por për këtë flet bota”, tregon ajo.

Kur kuptoi se në gjuhën angleze dhe polake mungonin materiale për luftën në Kosovë nga perspektiva shqiptare-civile, vendosi ta shkruajë vetë këtë histori.

“Jeni një komb më i mirë se sa kam parë”

“Unë jam shumë e lumtur që mund të bëj diçka të mirë për botën dhe kam zemër për ju shqiptarët… Jeni një komb më i mirë se sa kam parë”, thotë ajo me emocion.

Kochan tregon se puna e saj mbështetet 100% në intervista, arkiva dhe dokumente të luftës.

Krahas kësaj, ajo punon në ndërtim për të mbuluar shpenzimet e udhëtimeve dhe kërkimeve.

“Jeta ime duket kështu: një pjesë e kohës jam në Kosovë, një pjesë punoj jashtë vendit për të rikthyer e për të vazhduar shkrimin e reportazhit.”

Faqja “Kochan’s Report” dhe mesazhet kërcënuese

Ajo ka krijuar faqen “Kochan’s Report”, një platformë që e frymëzon për librin që po përgatit.

“E di që po e shkruaj për ata njerëz, të cilëve zëri u është shtypur për 30 vjet. E bëj këtë sepse nuk mund ta duroja kur historia falsifikohet”, thotë Kochan.

Por rruga e saj nuk ka qenë e lehtë.

“Çdo ditë marr mesazhe kërcënuese për vdekje, përdhunim dhe sulme fizike,  vetëm pse bazoj punën time në fakte, si arkivat e luftës. Megjithatë, nuk do të ndalem.”

Veteranët e UÇK-së, protagonistët e reportazhit

Në punën e saj, ajo mbështetet nga një veteran i UÇK-së, bashkëpunëtor i ngushtë, identitetin e të cilit nuk dëshiron ta zbulojë për arsye sigurie.

“Askush në jetë nuk më ka ndihmuar kaq shumë. Kur flasim për veteranët e UÇK-së, 90% e njohjeve të mia bazohen tek ata. Janë njerëz të mençur e të ndjeshëm. Asnjëherë nuk do t’i quaja terroristë njerëz të tillë.”

Ajo ka vizituar shumë vende masakrash në Kosovë dhe synon t’i dokumentojë të gjitha.

Me ndihmën e Esat Shalës, Nusret Pllanës dhe bashkëpunëtorëve të tjerë, reportazhi i saj pritet të jetë një dëshmi e fuqishme për krimet e forcave paramilitare serbe, për eksodin më të madh në Europë pas Luftës së Dytë Botërore dhe për trimërinë e luftëtarëve të UÇK-së.

“Shpresoj që këto ngjarje dhe heroizmi i luftëtarëve shqiptarë të jenë në gojët e gjithë botës”,  përfundon Weronika Kochan.

 

Shpërndaj me të tjerët