Nga Murat Mustafa
Testi i maturës dhe ai i arritshmërisë nuk reflektojnë realisht dijet, aftësitë dhe përgatitjen e nxënësve gjatë viteve të shkollimit. Vlerësimi përmes një testi të vetëm është i padrejtë, sepse nuk merr parasysh punën, përkushtimin dhe angazhimin e vazhdueshëm gjatë gjithë vitit shkollor. Një ditë e vetme nuk mund të përfaqësojë as potencialin dhe as përpjekjen e nxënësit.
Këto testime nuk marrin parasysh dallimet individuale, stilin e të nxënit dhe aftësitë praktike. Në vend që të masin dijen reale, ato shpesh nxisin mësimin përmendësh, duke ulur cilësinë e mësimnxënies dhe duke e kthyer procesin arsimor në një garë për pikë, e jo në zhvillim të mendimit kritik.
Në praktikë, këto teste krijojnë stres të panevojshëm psikologjik, presion dhe ndikim negativ në shëndetin mendor dhe emocional të nxënësve. Shpesh ndodh që nxënës të suksesshëm gjatë gjithë vitit të dështojnë vetëm për shkak të stresit të një provimi të vetëm, ndërsa të tjerë kalojnë përmes kopjimit dhe parregullsive, duke e bërë sistemin edhe më të padrejtë.
Për më tepër, këto testime nuk ndikojnë në orientimin real akademik apo profesional të nxënësve. Vendimet për të ardhmen zakonisht bazohen në notat e shkollës, preferencat individuale dhe mundësitë socio-ekonomike.
Ndërkohë, organizimi i tyre përbën barrë të madhe financiare dhe administrative, duke shpenzuar kohë, para dhe resurse që mund të përdoreshin për përmirësim të cilësisë së mësimdhënies dhe zhvillimin profesional të mësimdhënësve.
Ky model vlerësimi është në kundërshtim me kërkesat moderne të arsimit, ku kërkohet mendim kritik dhe analizë, ndërsa në realitet vlerësimi bëhet përmes pyetjeve mekanike. Kërkohet kompetencë, por vlerësohet memorizimi. Kjo është një hipokrizi e sistemit
Nuk është e pranueshme që një nxënës të vlerësohet për 9 apo 12 vite shkollim në bazë të një testi të vetëm. Nxënës të shkëlqyeshëm mbesin jashtë drejtimit të dëshiruar për shkak të një rezultati, ndërsa maturantë që kanë përfunduar shkollimin mbesin pa e kaluar provimin, dhe realisht mbeten pa i regjistruar në Fakultete.
Kjo nuk është dështim i nxënësit, por dështim i mënyrës së vlerësimit.
Këto teste nuk e përmirësojnë arsimin, përkundrazi, krijojnë pakënaqësi, mosbesim dhe humbje motivimi. Një sistem arsimor modern duhet të bazohet në vlerësim të vazhdueshëm dhe formativ, ku nxënësi vlerësohet gjatë gjithë procesit përmes punës, projekteve, aftësive praktike dhe mendimit kritik.
Prandaj, kërkoj që testi i maturës dhe ai i arritshmërisë të largohen nga sistemi arsimor duke filluar nga viti shkollor 2025/2026( dmth tash të anulohet mbajtja) dhe të zëvendësohen me një model më të drejtë, më gjithëpërfshirës dhe më real të vlerësimit.
Maqedonia në vitin 2017 e ka largu këtë formë të vlerësimit. Këto testime nuk janë më vetëm të panevojshme, por janë të dëmshme.
Çdo vonesë në largimin e tyre është vazhdim i një padrejtësie ndaj nxënësve. Nuk mund të ketë reformë të vërtetë në arsim pa largimin e këtij modeli të dështuar.
(Autori është mësimdhënës me përvojë të gjatë në arsim dhe Konsulent Profesional Pedagogjik)

