AAK zyrtarizon Ibish Ibishin si kandidat për Kuvendin Komunal të Gjilanit

 

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në Gjilan ka nisur përgatitjet serioze për zgjedhjet lokale, duke vazhduar me prezantimin e kandidatëve të saj për Kuvendin Komunal.

Kandidati më i ri që do të garojë nën emblemën e AAK-së është Ibish Ibishi, një emër i njohur për qytetarët e Gjilanit dhe veçanërisht për banorët e Mireshit, të cilët ai i ka përfaqësuar me përkushtim në të kaluarën.

Në një njoftim të publikuar nga kryetari i degës së AAK-së në Gjilan, Nazim Gagica, thuhet:
“Gjilanit i duhet një Kuvend funksional – Kuvendit i duhet Ibish Ibishi!”

Ibishi ka qenë anëtar i Kuvendit Komunal në tre mandate të mëparshme, ku është vlerësuar për përfaqësim të denjë dhe angazhim të vazhdueshëm për interesin publik, sidomos në çështjet që kanë të bëjnë me komunitetin e Mireshit.

Me një përvojë mbi 30-vjeçare në sektorin e shëndetit publik, Ibishi ka shërbyer në institucione të ndryshme shëndetësore, gjithmonë pranë qytetarit dhe me ndershmëri të palëkundur.

Ai njihet gjithashtu si veprimtar i çështjes kombëtare, i përndjekur nga regjimi i kaluar, dhe përfaqëson një brez rezistence që nuk është dorëzuar përballë sfidave historike e politike.

Mungesa e tij në përbërjen aktuale të Kuvendit Komunal, sipas AAK-së, është ndjerë dukshëm.
“Rikthimi i Ibishit nuk është thjesht nevojë, është domosdoshmëri për një Kuvend më të përgjegjshëm dhe më afër qytetarit”.

 

Shpërndaj me të tjerët