Agim Agushi thyen dy rekorde botërore në Vlorë, në Ditën e Pavarësisë!

 

Agim Agushi, rekordmeni botëror nga Kosova, ishte një nga figurat më të veçanta të festimeve të 113-vjetorit të Pavarësisë në Vlorë.

Ai nuk ishte thjesht një pikë e programit kulturor, por u shndërrua në simbolikën më të bukur të kësaj dite historike, duke e futur qytetin e Flamurit në rekordin e tij të radhës Guinness.

Në atmosferën festive të 28 Nëntorit, Agushi performoi në rrugët dhe sheshet e Vlorës, ndërsa momenti kulmor ndodhi pranë Muzeut Kombëtar të Pavarësisë,  aty ku Ismail Qemali nisi punën e qeverisë së parë shqiptare në vitin 1912.

Pikërisht në këtë vend historik, ai thyen rekordin Guinness të zhveshjes së fanellave njëra pas tjetrës, duke zhongluar njëkohësisht topin me kokë. Agushi arriti të zhveshë 28 fanella, duke kaluar rekordin e mëparshëm prej 26 fanellash.

Ai e kreu sfidën duke mbajtur topin në ajër për 4 minuta e 26 sekonda, një performancë që rrallë shihet në botën e sportit të ekstremin.

Ndërsa para stadiumit të Flamurtarit, Agushi theu edhe një rekord tjetër botëror:  zhveshja e 7 fanellave duke zhongluar topin për 45 sekonda, me kohë të lejuar vetëm 1 minutë.

Ky sukses i dyfishtë e vendos Vlorën në hartën botërore të rekordeve Guinness, duke e kthyer festën e Pavarësisë në një manifestim akoma më të veçantë.

Agushi, profesor i matematikës në Gjimnazin “Kuvendi i Lezhës” në Viti, është një emër me traditë të gjatë në librin e rekordeve.

Prej vitit 2000, ai ka mbledhur 16 rekorde Guinness dhe 20 rekorde botërore, kryesisht në disiplina që lidhen me mjeshtërinë e zhonglimit me top futbolli.

Në Vlorë ai erdhi pa bujë, bëri historinë dhe u largua sërish i qetë, siç bën zakonisht.

Por gjurma e tij në Ditën e Flamurit mbetet e paharrueshme.

Shpërndaj me të tjerët