Agron Krasniqi, ish-lojtar i Dritës, njohës i futbollit dhe ish-trajner, ka ndjekur nga afër përballjen e mbrëmshme ndërmjet Dritës dhe Copenhagenit në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Në një koment të tij pas ndeshjes, ai vlerësoi se skuadra nga Gjilani nuk e pati natën më të mirë.
Sipas tij, Drita iu qas lojës me ngarkesë të panevojshme emocionale dhe nuk arriti të ruajë qetësinë e duhur përballë presionit. “Më shumë dukej si një përpjekje për të bërë diçka sa më shpejt, sesa një lojë e menduar mirë,” tha Krasniqi.
Ai theksoi se kartoni i kuq ishte vendimtar dhe i dëmshëm për ecurinë e ekipit: “Ndërhyrja ishte e panevojshme, në një zonë që nuk paraqiste rrezik të drejtpërdrejtë, por dëmtoi strukturën dhe ritmin e lojës.”
Krasniqi shtoi se pas atij momenti, Drita gaboi me qasjen taktike, duke tentuar me topa të gjatë ndaj një kundërshtari me lojtarë shtatlartë dhe me përvojë, ndërsa loja e tyre ishte e ngadaltë, e ngutshme për të arritur sa më shpejt te goli dhe jo mirë e organizuar.
“Skuadra daneze luajti me mençuri, e ruajti rezultatin dhe në të njëjtën kohë tentoi ta lodhte Dritën me lojë të organizuar dhe qarkullim të vazhdueshëm të topit. Madje rezultati ka mundur të jetë edhe më i thellë,” vlerësoi ai.
Në përmbyllje, Krasniqi theksoi se Drita ka nevojë për më shumë eksperiencë në ndeshje të këtij niveli, një lojë më të shpejtë, më të fortë dhe më të konsoliduar për të përballuar ekipe të mëdha evropiane.
Edhe pse prej vitesh jeton dhe vepron në Belgjikë, Krasniqi nuk i ndahet kurrë Dritës. Ai e përcjell me përkushtim dhe emocion çdo paraqitje të kësaj skuadre, qoftë drejtpërdrejt nga shkallët e stadiumit, qoftë nga distanca, me të njëjtën dashuri dhe besim që ka pasur gjithmonë për të.