Aksidentet nuk ndalen në rrugën Gjilan–Prishtinë

 

Një tjetër aksident sot në Llabjan, përplasen kamioneta me  një veturë

Rruga Gjilan–Prishtinë po vazhdon të jetë një ndër më të rrezikshmet në vend. Sot, në fshatin Llabjan, ka ndodhur një aksident trafiku mes një veture të tipit Golf dhe një kamionete.

Fatmirësisht, nuk raportohet për viktima, por dëmet materiale janë të konsiderueshme.

Kjo rrugë, e cila aktualisht është nën punime, ka mbetur për vite me radhë në gjendje të mjerueshme. Me kthesa të shumta dhe mungesë të infrastrukturës moderne, ajo përbën rrezik të përhershëm për drejtuesit e automjeteve.

Pavarësisht premtimeve të vazhdueshme nga pushtetet lokale e qendrore, asnjëherë nuk janë ndërmarrë masa të plota dhe efektive për rregullimin e saj. Ekspertët thonë se zgjidhja më e arsyeshme do të ishte zgjerimi i kësaj rruge ekzistuese në katër korsi, në vend të nisjes së një autostrade të re që ka lënë mënjanë interesin real të qytetarëve të kësaj ane.

 

Shpërndaj me të tjerët