Aktivitet ndërgjegjësues me zjarrëfikësit në shkollën “Mulla Idris Gjilani” në Velekincë

Në Shkolla Fillore Mulla Idris Gjilani u mbajt një aktivitet ndërgjegjësues dhe edukativ me pjesëmarrjen e zjarrëfikësve të qytetit, të cilët zhvilluan një ligjëratë informuese dhe demonstruan nga afër procesin e shuarjes së zjarrit.

Gjatë aktivitetit, nxënësit u njohën me pajisjet profesionale të zjarrëfikësve, si dhe mësuan për masat bazë të sigurisë dhe veprimet e duhura në raste emergjente.

Demonstrimet praktike ngjallën interes të veçantë dhe u përcollën me vëmendje të madhe nga të pranishmit.

Me fjalë rasti u paraqit drejtori i shkollës, Zaim Zymeri, i cili falënderoi zjarrëfikësit për përkushtimin dhe gatishmërinë e vazhdueshme në shërbim të komunitetit.

Në shenjë mirënjohjeje për kontributin dhe bashkëpunimin e tyre, shkolla i nderoi ata me mirënjohje.

Nxënësit shfrytëzuan rastin për të parashtruar pyetje të shumta lidhur me profesionin e zjarrëfikësit, situatat më të vështira me të cilat përballen dhe mënyrat e reagimit në raste rreziku. Bashkëbisedimi ishte dinamik, interesant dhe tejet edukativ.

Një falënderim i veçantë i drejtohet mësimdhënëses Pranvera Beqiri për angazhimin dhe organizimin e këtij aktiviteti me rëndësi për edukimin dhe sigurinë e nxënësve.

Ky aktivitet u vlerësua si një përvojë e vlefshme edukative dhe një mësim i rëndësishëm për sigurinë, përgjegjësinë qytetare dhe vetëdijesimin e të rinjve.

Shpërndaj me të tjerët