Këto janë aktivitetet e “Flakës së Janarit” për ditën e shtune
Vazhdojnë aktivitetet në kuadër të manifestimit tradicional “Flaka e Janarit”, edicioni i 35-të, në nderim të heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të kombit ndër breza, nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Gjilanit Alban Hyseni dhe Drejtorisë për Kulturë, Rini e Sport.
Të shtunën me 17 janar, kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, bashkë me zyrtarë institucionalë, politikë, përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, familje të dëshmorëve, veteranë e invalidë të luftës dhe qytetarë, bëjnë homazhe në Varrezat e Dëshmorëve për të nderuar jetën dhe veprën e tre heronjëve: Kadri Zekës, Jusuf dhe Bardhosh Gërvallës në 44 vjetorin e vrasjes.
Më pastaj në orën 11:00 mbahet tryezë kushtuar heronjëve të Flakës së Janarit. Jepet dokumentar për Mullë Idriz Gjilanin, organizuar nga historianët e Gjilanit në Vali Ranch Resort.
Derisa në orën 17:00 mbahet “Akademia e Flakës” kushtuar masakrës së Reçakut në Teatrin e Qytetit në Gjilan, ku pos kryetarit të Komunës së Gjilanit, pritet të marr pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ish-shefi i Misionit verifikues të OSBE-së në Kosovë, Wiliam Walker dhe zyrtarë të tjerë.
Derisa në orën 19:00 në Galerinë e Arteve në Gjilan, mbahet “Peneli i Flakës”, ekspozitë mbarëkombëtare e Artit Pamor, organizuar nga Shoqata e Arteve Pamore – Gjilan
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, tha se po vazhdojnë aktivitete në kuadër të manifestimin tradicional “Flaka e Janarit”, edicioni i 35-të, me shumë aktivitete përkujtimore dhe kulturore në nderim të dëshmorëve tanë.
“Na u bashkoni në këtë organizim për tri javë, që të ruajmë traditën dhe ta mbajmë gjallë flakën e lirisë dhe të kujtesës”, tha kryetari Alban Hyseni.
Ju informojmë se aktivitetet e “Flakës së Janarit”, kanë nisur me 11 janar në nderim për të rënët për liri, janë bërë homazhe në Varrezat e Dëshmorëve në Gjilan, ku ishin zyrtarë institucionalë, politikë, përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, familje të dëshmorëve, veteranë të luftës dhe qytetarë,
Është vizituar edhe Kazerma e Forcës së Sigurisë së Kosovës, në qytet, ku të pranishmit janë pritur nga komandanti i Regjimentit të Parë të Këmbësorisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës, nënkolonel Arben Avdyli.
Derisa i pari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, bashkë me kryeministrin e Kosovës në detyrë Albin Kurti, deputetë nga Kuvendi i Kosovës dhe përfaqësues të institucioneve, vizituan familjet e heronjve, Rexhep Mala e Nuhi Berisha, të rënë me 11 janar të vitit 1984.
Derisa mbrëmjen e 11 janarit është realizuar një defile nga të rinjtë dhe janë ndezë flakadani i “Flakës së Janarit”, përcjellë nga Orkestra Frymore “Selman Vokshi”.
Më 15 janar është shënuar 45-vjetori i daljes së revistës së enigmatëve “Horizonti”, në Bibliotekën “Fan S. Noli” në Gjilan, ku jan ndarë pllakatet-mirënjohjet për të gjitha ata që kontribuan gjatë rrugëtimit 45 vjeçar të revistës.

