Alban Beqiri, trajner i klubit të karatesë AS Gjilani, është tërhequr nga Komisioni i Përzgjedhjes së Laureatëve 2025 për Komunën e Gjilanit.
Sipas tij, vendimi është marrë për shkak të mospërputhjeve në respektimin e kritereve për përzgjedhjen e sportistëve më të dalluar për vitin 2025.
Beqiri ka bërë të ditur se, si rrjedhojë e këtij vendimi, ka tërhequr nga procesi i përzgjedhjes edhe dy garueset e klubit të tij, të cilat, sipas tij, kanë shënuar rezultate të larta në garat e karatesë.
Kiara Beqiri gjatë vitit 2025 ka arritur 10 vende të para, është kampione e Kosovës dhe kampione mbarëkombëtare shqiptare, si dhe ka regjistruar 3 vende të dyta dhe 4 vende të treta, duke grumbulluar gjithsej 17 medalje.
Ndërkohë, Erina Sherifi është kampione e Kosovës, nënkampione ballkanike ekipore në kategorinë e kadetëve, e renditur e 7-ta në Ligën Botërore “Karate 1” në Itali, si dhe kampione e shumëfishtë në Kosovë dhe rajon.
Në arsyetimin e tij, Beqiri ka theksuar se tërheqja nga Komisioni lidhet me mospërputhje në procesin e përzgjedhjes së laureatëve. Ai ka bërë të ditur se për këtë çështje ka informuar edhe Drejtorin e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport (DKRS) në Gjilan.
Ndryshe, Alban Beqiri është gjithashtu drejtor sportiv në Federatën e Karatesë së Kosovës, ndërsa dy garueset në fjalë janë të përzgjedhura zyrtarisht nga FKK.
