Alban Beqiri, trajner aktual i Klubit të Karatesë AS Gjilan, ka shënuar një arritje të rëndësishme profesionale duke përfunduar me sukses programin special për trajner sportiv, duke qenë pjesë e gjeneratës së parë të këtij shkollimi.
Beqiri ka bërë të ditur se programi është i akredituar nga Autoriteti i Akreditimeve në Kosovë dhe është organizuar nga Akademia Olimpike e Komitetit Olimpik të Kosovës, në bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës, përkatësisht Fakultetin e Kulturës Fizike dhe Sportive.
Sipas tij, programi ka zgjatur gjatë viteve 2024/2025, i ndarë në dy semestra dhe ka përfshirë 12 lëndë profesionale.
Ligjëruesit kanë qenë me grada të larta shkencore, ndërsa në kuadër të studimeve është realizuar edhe punimi i temës së diplomës, e cila është mbrojtur me sukses.
Pas këtij certifikimi, Alban Beqiri është zyrtarisht trajneri i parë sportiv nga Gjilani që fiton titullin Master me 60 kredi.
Ai ka theksuar se kjo diplomë njihet ndërkombëtarisht dhe u mundëson mbajtësve të saj të punojnë në çdo shtet që është pjesë e familjes olimpike.
Beqiri ka sqaruar gjithashtu se profili i trajnerit të përgjithshëm sportiv ofron mundësi pune në fusha të ndryshme të sportit, si trajner fizik, fitnesi, karatesë dhe disiplina të tjera sportive.
Ai ka theksuar se pas përfundimit të këtij programi dhe marrjes së certifikimit ndihet shumë krenar dhe i motivuar, duke e konsideruar këtë arritje si një sukses personal dhe profesional, që do t’i shërbejë zhvillimit të sportit dhe edukimit të sportistëve në të ardhmen.
Programi “Trajner Sportiv” është profesion i klasifikuar në Librin e Klasifikimeve të Profesioneve në Kosovë.
Ky program synon përgatitjen profesionale të trajnerëve në fushën e sportit, duke i pajisur ata me njohuri dhe kompetenca për trajnim, edukim dhe menaxhim individual dhe grupor në një disiplinë sportive.

