Alban Hyseni me plot aktivitete në ditën e fundit të fushatës

Kryetari Hyseni e përmbyll fushatën me agjendë të ngjeshur dhe përkrahje të fuqishme në çdo lagje e fshat

Kryetari i Komunës së Gjilanit dhe kandidati i Lëvizjes VETËVENDOSJE! për mandatin e dytë, Alban Hyseni, e ka përmbyllur ditën e fundit të fushatës me një agjendë të ngjeshur aktivitetesh, një ditë para zgjedhjeve.

Fushatën e përmbylli bashkë me kryeministrin Albin Kurti dhe aktivistët e Lëvizjes, me energji e disponim të madh për “fitoren që po vjen nesër”, siç tha Hyseni.

Në kuadër të aktiviteteve të ditës, ai mori pjesë në përurimin e dronit “Skifter”, të prodhuar nga kompania inovative “Future Minds Academy”, projekt që e vlerësoi si frymëzues dhe dëshmi e kreativitetit të të rinjve gjilanas.

Së bashku me kryeministrin Kurti, Hyseni takoi gjithashtu afaristë e inxhinierë për të diskutuar projektet zhvillimore që do të transformojnë Gjilanin gjatë mandatit të ardhshëm.

Në vijim, kryetari vizitoi restorantin e ri “MelaVerde”, pronë e një gjilanasi, ku theksoi rëndësinë e bizneseve të reja për ekonominë lokale dhe krijimin e vendeve të punës.

Në “Rrugën e Prishtinës”, Hyseni u mirëprit nga banorët që u shprehën të vendosur për ta mbështetur projektin milionësh “FLOWS”, i cili pritet t’i japë fund problemit me ujë në qytet.

Ai zhvilloi edhe një takim me personat me dëgjim të kufizuar, duke riafirmuar përkushtimin që në mandatin e ardhshëm të punojë për një qytet më gjithëpërfshirës, ku secili ndihet i barabartë.

Fushata u përmbyll me takime madhështore në fshatrat Malishevë dhe Zhegër, ku qytetarët shprehën përkrahje të fuqishme për Lëvizjen VETËVENDOSJE!

“Malisheva është fuqishëm me Lëvizjen, ndërsa Zhegra legjendare sonte u rreshtua me ekipin e fitores”, tha Hyseni, duke shtuar se entuziazmi i qytetarëve është dëshmia më e mirë se nesër do të konfirmohet qeverisja e mirë e VETËVENDOSJE!-s në Gjilan.

 

Shpërndaj me të tjerët