Trajneri i grupmoshës U15 të FC Drita, Alban Nevzati, ka njoftuar largimin e tij nga klubi, duke theksuar se vendimi është marrë për arsye parimore dhe profesionale, pas mospranimit të ndërhyrjeve në vendimmarrje, veçanërisht në përzgjedhjen e kapitenit për ekipet U14 dhe U15.
Nevzati ka bërë të ditur se caktimi i kapitenit është kompetencë e trajnerit dhe duhet të bazohet vetëm në punë, disiplinë, karakter dhe meritë, pa ndikime nga drejtuesit e klubit apo prindërit.
Për shkak se nuk ka pranuar të cenojë këto parime dhe drejtësinë brenda ekipit, ai ka vendosur të largohet nga klubi.
Gjatë angazhimit të tij gjashtëvjeçar në FC Drita, Alban Nevzati ka shënuar rezultate të rëndësishme me grupmoshat e reja, duke fituar disa herë titullin kampion në LRFGJ, si dhe titullin e kampionit të Play-Off-it Nacional të Kosovës.
Ai thekson se largohet me kokën lart dhe ndërgjegje të pastër, duke vlerësuar FC Dritën si një kapitull të rëndësishëm të karrierës së tij, por duke nënvizuar se integriteti dhe parimet personale janë mbi çdo post apo pozitë.

