Seanca e dytë e Kuvendit Komunal të Gjilanit, e paraparë për 18 dhjetor, është anuluar, ndrysa institucionet komunale kanë bërë të ditur se seanca nuk do të mbahet dhe për kohën e re të mbajtjes do të njoftohet më vonë.
Lidhur me anulimin e seancës ka reaguar kryetari i PDK-së, dega në Gjilan, njëherësh këshilltar komunal, Riad Rashiti.
Ai ka kritikuar vendimin, duke vlerësuar se anulimi i seancës për zgjedhjen e kryesuesit të Kuvendit Komunal dëshmon vazhdimin e kaosit dhe paralizës institucionale në komunë.
“Pa asnjë arsyetim dhe pa asnjë përgjegjësi institucionale, është anuluar sot seanca e Kuvendit Komunal të Gjilanit për zgjedhjen e kryesuesit të KK-së”, ka deklaruar Rashiti, duke e cilësuar këtë si një tjetër dëshmi të gjendjes së rëndë institucionale.
Ai ka renditur problemet me të cilat, sipas tij, po përballen qytetarët e Gjilanit, përfshirë vonesat e pagave për qindra punëtorë, mungesën e ngrohjes në shkolla, mosofrimin me kohë të shërbimeve bazike, bllokimin e projekteve dhe grumbullimin e problemeve si pasojë e qeverisjes aktuale komunale.
Rashiti ka shprehur keqardhje për qytetarët që po e vuajnë këtë situatë dhe ka shprehur besimin se më 28 dhjetor do të ketë reflektim qytetar dhe zë të arsyes në Gjilan.

