Mjeku gjilanas Arben Muji ka përfunduar me sukses specializimin në kirurgjinë e zemrës, duke u bërë një nga specialistët e parë të kësaj fushe nga komuna e Gjilanit.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Muji përmes një postimi në profilin e tij në Facebook.
“Sot, më 10.12.2025, në prani të komisionit të nderuar Prof. Dr. Altin Veshti, Ass. Dr. Arbër Kutllovci dhe Dr. Bekim Dula, zyrtarisht përfundova specializimin në Kirurgjinë e Zemrës,” ka shkruar ai, duke e cilësuar këtë si përmbyllje të një periudhe 10-vjeçare pune, përkushtimi dhe sakrifice në sallat e operacionit.
Muji ka shprehur mirënjohje të thellë për mentorët dhe kolegët që e kanë udhëhequr në rrugëtimin profesional, mes tyre: kardiokirurgët Besnik, Arben dhe Fatos Kojqiqi kardiokirurgët e QKUK-së: Dr. Bekim Dula, Dr. Rifat Brahimaj, Dr. Endrit Shala, Dr. Xheladin Rizani, profesorët e tij në Milano, Prof. Dr. Lorenzo Menicanti dhe Dr. Carlo DeVincentis.
Ai theksoi se formësimi i tij profesional vjen nga tri shkolla të kirurgjisë së zemrës: ajo kosovare, ajo shqiptare dhe ajo italiane.
Në fund, Muji ia ka dedikuar këtë sukses familjes: prindërve Naser e Metije Muji, motrës e vëllaut, si dhe bashkëshortes Albulena dhe vajzave të tij Loa, Dea e Rea.
