Arben Mustafa, profesor, ekonomist dhe një nga më të votuarit

 

Arben Mustafa prin në Gjilan me mbi 38 mijë vota, pritshmëri të mëdha për projekte në të mirë të qytetarëve

Arben Mustafa, kandidat për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Gjilan, ka siguruar mbi 38 mijë vota, duke u renditur si kandidati më i votuar nga kjo komunë.

Edhe pse procesi i numërimit ende nuk ka përfunduar zyrtarisht, të dhënat aktuale tregojnë se Mustafa ka marrë më shumë vota se çdo kandidat tjetër nga Gjilani, pavarësisht përkatësisë politike.

Po ashtu, ai është i vetmi kandidat i PDK-së nga Gjilani që ka arritur të fitojë mandatin e deputetit, në një kohë kur ky subjekt politik, dikur shumë i fuqishëm në këtë komunë, ka shënuar rënie të ndjeshme elektorale.

Suksesi i Arben Mustafës nuk vlerësohet si rastësi.

Përveç renditjes së favorshme në listën zgjedhore, ku PDK e kishte pozicionuar me numrin 5, ai gëzon një profil të lartë profesional dhe publik.

Mustafa vjen nga bota universitare, është profesor universitar dhe njohës i thellë i fushës së ekonomisë.

Në paraqitjet e tij publike ai është dalluar për qartësi, konkretësi dhe argumentim profesional, duke krijuar besim te elektorati dhe duke dëshmuar se është një profesionist i mirëfilltë i fushës së tij.

Pikërisht kjo qasje ka ndikuar që ai të marrë mbështetje të gjerë nga votues të profileve të ndryshme.

Mustafa rrjedh nga një familje intelektuale me bagazh të fortë qytetar dhe moral.

Babai i tij, Mustafë Mustafa, inxhinier me profesion, ka punuar për shumë vite në fabrikën e radiatorëve dhe njihet si figurë e respektuar në mesin e qytetarëve gjilanas për kulturën, qetësinë dhe urtësinë e tij.

I njohur si punëtor i palodhur, modest, i afërt me qytetarët dhe shumë i dashur për studentët, Arben Mustafa konsiderohet si përfaqësues me potencial të madh për Gjilanin në Kuvendin e Kosovës.

Me këtë deputet të ardhshëm, Gjilani pret që shumë çështje të rëndësishme dhe projekte zhvillimore të shtyhen përpara në të mirë të qytetarëve gjilanas.

Pritshmëritë janë që angazhimi i tij profesional dhe njohuritë ekonomike të përkthehen në iniciativa konkrete për zhvillim ekonomik, përmirësim të mirëqenies sociale dhe forcim të rolit të Gjilanit në politikat qendrore të vendit.

Shpërndaj me të tjerët