Kandidati për kryetar të Komunës së Gjilanit nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arbër Ismaili, ka bërë të ditur mbajtjen e takimit të tij të parë publik me qytetarët, ku do të shpalosë planin dhe vizionin për të ardhmen e qytetit.
Përmes një njoftimi në rrjetin e tij social, Ismaili ka bërë thirrje për pjesëmarrje masive në këtë ngjarje, e cila do të mbahet të mërkurën, më 30 korrik, në ora 20:00, në Parkun e lagjes Dardania në Gjilan.
“Me zemër plot besim dhe me përkushtim të madh për të ardhmen e qytetit tonë, ju ftoj në takimin tonë të parë publik. Ky do të jetë momenti ynë i bashkimit, i vizionit dhe i shpresës,” ka shkruar ai në ftesën drejtuar qytetarëve.
Ismaili tha se gjatë këtij takimi do të prezantojë planin dhe projektet konkrete që synojnë të çojnë Gjilanin drejt zhvillimit, modernizimit dhe mirëqenies për të gjithë qytetarët. Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me qytetarët në këtë rrugëtim.
“Ejani ta nisim këtë rrugëtim bashkë, me vullnet të pastër dhe energji qytetare. Çdo zë ka rëndësi. Çdo përkrahje vlen. Koha është tani. Fuqia është tek ne!”, përfundon ftesa e tij.
Ky takim vjen në kuadër të mobilizimit dhe përgatitjeve për zgjedhjet lokale të ardhshme, ndërsa përfaqëson një hap të parë drejt konkretizimit të ofertës politike të LDK-së në Gjilan nën drejtimin e Arbër Ismailit.