Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, ka falënderuar aktivistët dhe qytetarët që e kanë mbështetur gjatë fushatës dhe procesit zgjedhor. Në një postim në rrjetet sociale, Ismajli është shprehur mirënjohës për të gjithë ata që kanë kontribuuar në këtë garë, duke e cilësuar rrugëtimin e tij si më shumë se një betejë politike.
“Nga zemra ju falënderoj të gjithë aktivistët e sinqertë, njerëzit e përkushtuar dhe të gjithë ju që më dhatë besim, edhe përtej kufijve të LDK-së. Ky rrugëtim ka qenë më shumë se politik – ka qenë një përballje e vlerave, e dashnisë për qytetin tonë dhe e shpresës për një Gjilan më të drejtë e më njerëzor.”
Ai ka shtuar se falënderon edhe ata që, siç ka thënë, “u munduan të pengojnë këtë rrugëtim”, sepse kjo e ka forcuar për të mos u dorëzuar.
“Mirënjohje e pafund për secilin që qëndroi, besoi e punoi me shpirt e me zemër”, ka përfunduar ai.
Ismajli garoi në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Gjilan, përballë kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Hyseni.

