Arbër Ismajli mbyll fushatën me falënderim
Kandidati për kryetar të Gjilanit nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Arbër Ismajli, ka përmbyllur fushatën zgjedhore me një mesazh falënderimi për qytetarët.
Në takimin përmbyllës me partnerët politikë dhe qytetarët e Gjilanit, Ismajli ka theksuar se mbrëmja ishte e mbushur me entuziazëm, besim dhe dashuri për qytetin.
Ai ka falënderuar strukturat e subjekteve politike, aktivistët, veprimtarët dhe secilin qytetar që ka qenë pjesë e rrugëtimit të tij, duke theksuar se fryma e fitores ndihet në çdo lagje e fshat të komunës.
“Nesër është momenti vendimtar. Dilni në votime, merrni familjen, miqtë e shokët dhe bashkë ta bëjmë ndryshimin e madh që Gjilani e pret prej kohësh. Koha e fjalëve ka mbaruar, nesër flasim me votë për të ardhmen tonë,” ka thënë Ismajli.
Në fund, ai ka falënderuar qytetarët për besimin dhe ka shtuar se pas votimit, Gjilani do të festojë fitoren.

