Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Gjilanit, Arbër Ismajli, ka mbajtur sonte takim me strukturat partiake të LDK-së dhe PDK-së, dy subjekte që janë në koalicion për zgjedhjet e balotazhit të 9 nëntorit.
Në takim mori pjesë edhe kryetari i degës së PDK-së në Gjilan, Riad Rashiti, ku u vlerësua bashkëpunimi i ngushtë dhe përkushtimi i përbashkët për ndryshimin e pritur në qytet.
“Atmosfera ishte fantastike, plot besim, entuziazëm dhe përkushtim për ditën e ndryshimit. Në çdo fytyrë shihej dëshira për zhvillim, për një qeverisje që i kthen dinjitetin qytetarëve,” tha Ismajli.
Ai shtoi se qytetarët e ndershëm dhe punëtorë të Gjilanit meritojnë punë, drejtësi dhe mundësi të barabarta për të gjithë. “Gjilani është gati për hapin vendimtar, për fitoren që na bashkon dhe që e kthen qeverisjen për qytetarët, drejt një zhvillimi të dinjitetshëm e parimor,” u shpreh ai.
Në përfundim, kandidati i LDK-së theksoi se zgjedhjet e 9 nëntorit janë më shumë se një balotazh:
“Është referendumi i gjilanasve që duan ndryshim dhe shpresë. Më 9 nëntor, votoni numrin 113, për LDK-në dhe për një qeverisje që punon me zemër për ndryshimin e pritur në qytet”.
