Arbër Ismajli rikthehet si kandidat për deputet nga LDK

 

Arbër Ismajli rikthehet si kandidat për deputet nga LDK

Ish-kandidati për kryetar të Komunës së Gjilanit nga radhët e LDK-së, Arbër Ismajli, ka bërë të ditur se do të jetë pjesë e listës së Lidhjes Demokratike të Kosovës për deputet në zgjedhjet e ardhshme. Lajmin e ka njoftuar përmes një postimi në Facebook.

Në njoftimin e tij, Ismajli u shpreh se ky vendim ka ardhur pas një reflektimi të thellë mbi përgjegjësinë që ndjen ndaj qytetarëve dhe vendit.

Ai ka falënderuar strukturat e LDK-së për besimin e dhënë, duke veçuar kryetarin e Degës së Gjilanit, Lutfi Hazirin, si dhe kryetarin e LDK-së, Dr. Lumir Abdixhiku, për mbështetjen dhe vizionin e tyre.

Ismajli tha se rruga drejt përfaqësimit kërkon seriozitet, përkushtim dhe ndershmër, vlera me të cilat pretendon të ketë punuar deri më sot dhe me të cilat synon të vazhdojë.

Ai theksoi se synimi i kandidaturës së tij është të përfaqësojë me dinjitet interesat e qytetarëve dhe të kontribuojë në zhvillimin e vendit, veçanërisht në fushat ku ka përvojë profesionale.

Në përmbyllje, Ismajli bëri thirrje për mobilizim dhe bashkëpunim, duke e cilësuar këtë fazë si një “kthesë historike” për Republikën e Kosovës.

“Besimin që ma keni dhënë deri sot e konsideroj obligim. Përkushtimi im ndaj jush do të jetë i plotë dhe i pandarë,” përfundon ai.

 

Shpërndaj me të tjerët