Arbër Ismajli u bën thirrje bashkatdhetarëve për votim në balotazh

 

Kandidati për kryetar të Komunës së Gjilanit nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arbër Ismajli, ka ftuar bashkatdhetarët që të votojnë në balotazhin e 9 nëntorit, përmes një postimi në faqen e tij zyrtare në Facebook.

“Të dashur bashkatdhetarë, ju që çdo herë keni qenë zemra e Gjilanit, kudo që jetoni e punoni, po ju drejtohem me mirënjohje e besim të plotë. Falë jush, Gjilani gjithmonë ka fituar!”, ka shkruar Ismajli, duke shtuar se më 9 nëntor qytetarët kanë një mundësi të madhe për ta kthyer drejtimin e qytetit dhe për të hapur kapitullin e Gjilanit të ri – të zhvillimit, dinjitetit dhe bashkimit.

Ai ka njoftuar se të gjithë qytetarët e regjistruar për votim me postë para fushatës zgjedhore të vitit 2025, do të mund të votojnë sërish në këtë proces të balotazhit, nga data 27 tetor deri më 8 nëntor.

Në fund, Ismajli u ka bërë thirrje bashkatdhetarëve që të mobilizohen dhe ta dërgojnë votën e tyre “për Gjilanin, për qytetin e tyre, për qytetin tonë të përbashkët”.

 

Shpërndaj me të tjerët