Portieri perspektiv i Gjilanit, Aridon Bllaca, i ka thënë lamtumirë skuadrës së tij të deritashme, duke mbyllur një kapitull të rëndësishëm të karrierës së tij sportive.
Përmes një mesazhi emocional, Bllaca ka bërë të ditur se pas gati një dekade me ngjyrat kuqebardhë, ka vendosur të nisë një rrugëtim të ri, të cilin e konsideron hapin më të mirë për zhvillimin e tij profesional.
“Çdo gjëje të bukur ndonjëherë i vjen fundi, ashtu si edhe qëndrimi im te klubi SC Gjilani, klubi në të cilin erdha si fëmijë dhe po largohem si burrë. Pas gati një dekade kam vendosur të marr një rrugëtim të ri, duke menduar se kjo është zgjedhja më e mirë për karrierën time sportive.
Gjatë gjithë këtyre viteve kam punuar me presidentë, drejtues, trajnerë, bashkëlojtarë, staf mjekësor dhe personel të klubit, të cilët dua t’i falënderoj të gjithë pa përjashtim. Kam mësuar nga secili, kam përjetuar zhgënjime, por mbi të gjitha gëzime, të cilat do të mbeten kujtimet e mia më të bukura me ngjyrat kuqebardhë.
Një falënderim i veçantë dhe më i rëndësishmi shkon për tifozërinë ‘Skifterat’, që më kanë mbështetur nga dita e parë e deri sot.
Gjilanit dhe ‘Skifterave’ u dëshiroj sukseset më të mëdha sportive dhe shpresoj që rrugët tona të bashkohen sërish një ditë. Shihemi në sfidat e radhës!” , ka shkruar Bllaca

