Arrestohet për gjuajtje me armë në dasmë, Policia: Festoni me zemër, jo me armë!

Policia: Festoni me zemër, jo me armë!

Policia e Kosovës në Gjilan ka arrestuar një të dyshuar për të shtëna me armë zjarri gjatë një ahengu familjar. Sipas njoftimit nga Drejtoria Rajonale e Policisë Gjilan, më 20 korrik 2025, në një lagje të qytetit janë dëgjuar të shtëna me armë.

I dyshuari, Ç.S. (i lindur në vitin 2001), është identifikuar dhe arrestuar nga njësitet policore. Atij i është konfiskuar një pistoletë e llojit ZORKI, kalibër 9 mm, dhe një karikator i zbrazët.

Prokuroria e ka cilësuar rastin si “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Policia apelon qytetarët që të mos përdorin armë gjatë dasmave dhe ahengjeve, duke kujtuar se në të kaluarën, raste të tilla kanë pasur pasoja tragjike.

 “Festoni me zemër, jo me armë!”,  është mesazhi i Policisë për të gjithë qytetarët gjatë sezonit të dasmave.

 

Shpërndaj me të tjerët