Art nga diaspora, Morina-Bunjaku përshëndet ekspozitën e Zeqirja Rexhepit

 

Nënkryetarja e Komunës së Gjilanit, Leonora Morina-Bunjaku, mori pjesë në hapjen solemne të ekspozitës “Penelatat nga tej oqeani”, të artistit mërgimtarit,  Zeqirja Rexhepi, e cila u zhvillua në atelienë e këtij arti në qytetin e Gjilanit.

“Në emër të Kryetarit të Komunës së Gjilanit, z. Alban Hyseni, pata nderin dhe kënaqësinë të përshëndes këtë ekspozitë të veçantë, e cila sjell pranë nesh artin dhe shpirtin krijues të një artisti që, ndonëse jeton larg, e mban zemrën gjithmonë afër vendlindjes”, u shpreh Morina-Bunjaku.

Ekspozita “Penelatat nga tej oqeani” nuk paraqet vetëm një koleksion pikturash, por një udhëtim emocional përmes ngjyrave dhe kujtesës, një retrospektivë e rrugëtimit artistik dhe jetësor të Rexhepit, si dhe të bashkatdhetarëve në mërgatë.

Morina-Bunjaku falënderoi artistin për kontributin e çmuar dhe për rikthimin e tij simbolik në Gjilan, duke theksuar se kjo ngjarje e pasuron ndjeshëm jetën kulturore të qytetit.

“Ju uroj mirëseardhje dhe faleminderit për këtë ngjarje që na nderon të gjithëve”, u tha në fund të fjalës së saj.

 

Shpërndaj me të tjerët