Edon Zhegrova është vetëm një hap larg transferimit të madh në karrierën e tij, kalimit te Juventusi. Ylli i Kosovës, përveç formës së tij të shkëlqyer, këtë herë ka marrë edhe një “asist” vendimtar nga shteti shqiptar.
Një nga pengesat kryesore për transferimin ishte statusi i tij si lojtar ekstrakomunitar, për shkak të shtetësisë kosovare. Por zgjidhja erdhi nga Tirana: më 22 gusht, pas dekretit të Presidentit Bajram Begaj, Zhegrova mori zyrtarisht pasaportën shqiptare.
Ky detaj i hap dyert për bardhezinjtë, pasi në Serie A ekziston një rregull i posaçëm që u lejon klubeve italiane të regjistrojnë futbollistët shqiptarë si komunitarë. Në këtë mënyrë, Juventusi shmang çdo pengesë burokratike dhe mund të bëjë realitet marrëveshjen për transferimin e tij.
Nëse negociatat përmbyllen me sukses, Zhegrova do të bëhet shqiptari i radhës që vesh fanellën e bardhezinjve, duke shënuar një tjetër kapitull të madh për futbollin kosovar.