Avdyl Kastrati nga Dobërqani ka shpallur kandidaturën për këshilltar komunal në zgjedhjet lokale të 12 tetorit, përmes një postimi në Facebook, si pjesë e listës së Lëvizjes Vetëvendosje!.
Me mbi 15 vite përvojë në sektorin publik dhe privat, ai ka zhvilluar aftësi e njohuri të rëndësishme për të përfaqësuar me përgjegjësi interesat e qytetarëve. Gjatë karrierës së tij, ka shërbyer në këto pozita: 2 vite si ushtrues detyre i sekretarit të shkollës në ShFMU “Nazim Hikmet”, Dobërçan, 6 vite në menaxhimin financiar dhe kontabilitetin e bizneseve të ndryshme, 7 vite si Inspektor Tatimor në Administratën Tatimore të Kosovës dhe aktualisht auditor i brendshëm në KRU “Hidromorava” Sh.A.
Përvoja e tij i ka dëshmuar se zhvillimi i qëndrueshëm arrihet vetëm përmes transparencës, llogaridhënies dhe përfshirjes aktive të qytetarëve në vendimmarrje.
I njohur në Gjilan e rrethinë për virtyte të larta morale, profesionale dhe njerëzore, Avdyl Kastrati vlerësohet si një profesionist i ekonomisë, njohës i shkëlqyer i financave, i pakorruptuar, i palodhur dhe kooperativ, gjithmonë i gatshëm për bashkëpunim dhe për të marrë vendime të drejta e të guximshme.