Bamirësia nuk ndalet në Kamenicë, 250 kg miell për familjet në nevojë

Solidariteti vazhdon të jetë pjesë e pandashme e jetës në Komunën e Kamenicës. Një qytetar anonim nga fshati Topanicë ka bërë një gjest të rrallë duke dhuruar 250 kilogramë miell nga të korrurat e tij, për familjet që përballen me kushte të rënda jetese.

Mielli është dorëzuar në zyrat e Kryqit të Kuq, dega në Kamenicë, nga ku do të shpërndahet drejt atyre që kanë më shumë nevojë.

Sekretari i kësaj dege, Rexhep Morina, e ka cilësuar këtë akt si një dëshmi të fuqishme të humanizmit që jeton në mesin e komunitetit kamenicas.

“Ky veprim është shembull frymëzues për të gjithë ne. Bashkë jemi më të fortë dhe mund të sjellim ndryshim në jetën e atyre që kanë më pak fat”, u shpreh Morina.

Ndihma për familjet në nevojë nuk është ndalur me kaq. Në partneritet me KFOR-in Italian,  njësinë Carabinieri MSU,  është realizuar një shpërndarje ndihmash për një familje me sfida të mëdha në fshatin Koretin.

“Falë bashkëpunimit të ngushtë me KFOR-in Italian, kemi arritur të ofrojmë lehtësim dhe shpresë për një familje në vështirësi. Këto gjeste janë dëshmi e solidaritetit ndërinstitucional dhe e përkushtimit tonë për të qenë pranë qytetarëve”, shtoi Morina.

 

 

Shpërndaj me të tjerët