Skuadra e Gjilanit ka arritur të marrë vetëm një pikë nga përballja me Prishtinën, pasi ndeshja e zhvilluar në kryeqytet përfundoi pa gola (0-0), në kuadër të javës së 12-të të Albi Superligës së Kosovës në futboll.
Edhe pse gjilanasit patën më shumë posedim të topit dhe tentuan të diktojnë ritmin e lojës, mungesa e ideve në sulm dhe finalizimit bëri që rrjetat të mbeten të paprekura deri në fishkëllimën e fundit.
Ky ishte barazimi i dytë për Prishtinën dhe i treti për Gjilanin në këtë kampionat.
Pas këtij rezultati, Prishtina ruan pozitën e parë në tabelë me 26 pikë, ndërsa Gjilani renditet në vendin e parafundit me 12 pikë, shumë larg pritshmërive të klubit dhe tifozëve të saj.
Skuadrës gjilanase duket se po i mungon loja e shpejtë, dinamike, shpërthyese dhe me më shumë sakrificë, pasi shpesh po shfaqet e parrezikshme dhe lehtë e lexueshme për kundërshtarët.

