Trajneri i njohur i futbollit kosovar, Bekim Isufi, ka folur me vlerësime të larta për Debatik Currin, trajnerin e ri të skuadrës së Gjilanit, gjatë një emisioni sportiv në Kanal 10.
Isufi ka theksuar se përvoja e pasur e Currit, si ish-lojtar dhe trajner, do të ketë ndikim pozitiv te skuadra “kuq e bardhë” dhe do të ndihmojë në rritjen e nivelit të lojtarëve.
“Emërimi i tij ishte veprim i duhur. Ai ka përvojë të gjatë si lojtar, e kjo përvojë do të reflektojë edhe në drejtimin e ekipit. Po ashtu, puna që ka bërë te Prishtina, ku fitoi Kupën e Kosovës, dhe eksperiencat e tjera në stol, janë dëshmi e aftësive të tij,” – tha Isufi.
Para emërimit të Currit në krye të Gjilanit, Bekim Isufi ishte përmendur si një nga kandidatët më seriozë për ta drejtuar skuadrën.
Megjithatë, me deklaratën e tij të matur dhe profesionale, ai ka treguar pjekuri, korrektësi dhe respekt për kolegun e tij, duke hedhur poshtë çdo paragjykim për rivalitet apo xhelozi.
Ky qëndrim i Isufit është vlerësuar nga shumë sportdashës si shembull i frymës sportive dhe profesionalizmi, që duhet ta karakterizojë futbollin kosovar.

