Enver Sadiku, profesor i gjuhës frënge në Gjimnazin Natyror “Xhavit Ahmeti” në Gjilan, doktor në shkencat shoqërore dhe histori, dhe gazetar me përvojë tash e çerek shekulli, ka dhuruar mbi 100 libra për bibliotekën e shkollës.
Ai njihet gjithashtu si lexues i përkushtuar dhe adhurues i librit, duke treguar pasionin e tij për dijen dhe kulturën.
Librat e dhuruar përfshijnë materiale për mësimin e gjuhëve të huaja, frëngjisht, anglisht dhe gjermanisht, si dhe romane të autorëve vendas dhe të huaj.
Ky donacion ka një rëndësi të veçantë për nxënësit, dhe vlera e tij do të rritet edhe më shumë me themelimin e kabinetit të gjuhëve të huaja në shkollë.
Bashkë me bibliotekisten Diana Mustafa dhe profesorin e gjuhës frënge dhe koordinatorin e cilësisë, Sami Selishta, librat janë vendosur tashmë në vitrinat e bibliotekës.
Drejtori i Gjimnazit, Bekim Mustafa, dhe zëvendësdrejtori Agim Asllani, kanë falënderuar Sadikun për këtë iniciativë, duke theksuar se biblioteka po pasurohet vazhdimisht me libra të rinj.

