Binjakët e Gjilanit, Eni dhe Ani Kosumi, triumfojnë edhe në Olimpiadën Matematike të Kosovës 2026

 

Binjakët nga Gjilani, Eni dhe Ani Kosumi, kanë shënuar edhe një sukses të radhës, duke u shpallur fitues në Olimpiadën Matematike të Kosovës – OMK 2026, e mbajtur më 18 janar në Prishtinë.

Ky sukses vjen vetëm një ditë pasi ata kishin arritur rezultate të shkëlqyera edhe në garat komunale të Fizikës, ku zunë vendin e parë dhe të tretë, duke dëshmuar talentin e tyre të jashtëzakonshëm edhe në shkencat natyrore.

Eni dhe Ani Kosumi nuk janë emra të rinj në garat e matematikës.

Që nga klasa e pestë, ata kanë qenë vazhdimisht ndër më të mirët, duke fituar vende të para në gara të ndryshme.

Aktualisht, ata janë nxënës të klasës së shtatë në shkollën e mesme të ulët “Rexhep Elmazi” në Gjilan.

Të njohur për disiplinën, përkushtimin dhe kulturën e punës, dy binjakët punojnë në mënyrë të pavarur, ushtrohen vazhdimisht dhe nuk hezitojnë të ndjekin kurse shtesë për të thelluar njohuritë e tyre.

Talenti i tyre është vërejtur që në klasat e ulëta, veçanërisht në klasën e katërt dhe të pestë.

Përveç pasionit për matematikën, ata janë të qetë, të sjellshëm dhe të dhënë pas sportit, veçanërisht futbollit.

Interneti dhe literatura shkencore janë pjesë e përditshme e punës së tyre, duke hulumtuar vazhdimisht detyra dhe sfida të reja.

Për suksesin e tyre ndihen krenarë prindërit, familja, shkolla si dhe i gjithë komuniteti ku jetojnë, duke i parë Eni dhe Ani Kosumin si një premtim të sigurt për të ardhmen e shkencës në Kosovë.

Krenaria për ta nuk i përket vetëm qytetit, por mbarë vendit, pasi këta dy të rinj premtojnë shumë dhe pritet të arrijnë suksese të mëdha në të ardhmen.

Shpërndaj me të tjerët