Bufi rikthen një titull të vitit 2001: “Në vitin e ardhshëm i duam institucionet”

Aktori i njohur dhe shumë i dashur për qytetarët, Fatmir Saphiu – Bufi, ka rikthyer në kujtesë një titull domethënës nga gazeta Koha Ditore e fundit të vitit 2001, duke sjellë emocione, reflektim dhe mesazh qytetar në një moment të rëndësishëm për Kosovën.
Në një postim në Facebook, Saphiu ka shkruar se procesi i votimit në Kosovë, historikisht, e ka bërë të ndihet krenar si qytetar i këtij vendi.

Ai ka vlerësuar se partitë politike kanë dhënë shenja të zbutjes së gjuhës, duke theksuar se kjo duhet përshëndetur dhe se është urgjencë kombëtare përdorimi i gjuhës së butë dhe prania më e vogël e politikës në përditshmërinë e qytetarëve.
“T’ia kthejmë lavdinë sportistëve, artistëve dhe njeriut të zakonshëm,” ka shkruar ai, duke bërë thirrje që vëmendja shoqërore të fokusohet te vlerat reale.
Saphiu ka uruar fituesit e zgjedhjeve, ndërsa për ata që nuk kanë dalë mirë ka kërkuar reflektim.

Sipas tij, Kosova po hyn dalëngadalë në vitin 2026 dhe ka nevojë të domosdoshme për institucione funksionale dhe stabilitet, duke shtuar se viti që po lëmë pas ishte “vit i çuar dëm”.
Në fund, ai i ka përshëndetur ndjekësit me titullin simbolik të vitit 2001:
“Në vitin e ardhshëm i duam institucionet,  populli ka votuar për to”, një mesazh që, sipas tij, mbetet aktual edhe sot.

Shpërndaj me të tjerët