Bujanoci nënshkruan memorandum historik bashkëpunimi me Federatën Shqiptare të Futbollit

 

Sot në Tiranë vumë themelet e një bashkëpunimi historik me Federatën Shqiptare të Futbollit.

Komuna e Bujanocit do të jetë nën një ombrellë të përbashkët me institucionin më të lartë të futbollit shqiptar, në funksion të avancimit të sportit më të popullarizuar në botë.

Bashkëpunimi, sot me presidentin e FSHF-së, z. Armand Duka, parasheh mbështetje të drejtpërdrejtë për futbollistët në Luginë, me fokus të veçantë tek grupmoshat e reja.

Zbatimi praktik do të nisë me programin “Uniforma ime”, përmes të cilit FSHF do të zbresë në terren në Luginë për t’i pajisur futbollistët e regjistruar me veshje sportive dhe topa futbolli.

Falë angazhimit të presidentit Duka, Federata Shqiptare e Futbollit do të angazhohet me të gjitha kapacitetet e saj për ta çuar përpara zhvillimin e futbollit në komunën tonë dhe në mbarë Luginën.

Nga ana jonë, i kemi garantuar drejtuesit e FSHF-së për një partneritet të sinqertë dhe aktiv, sidomos në aspektin logjistik dhe organizativ.

Ishte kënaqësi të vizitojmë edhe “Shtëpinë e Futbollit” në Tiranë, një ambient fantastik ku përgatitet kombëtarja jonë dhe ku ndihen vlerat profesionale e pasioni për futbollin shqiptar.

Po ashtu, patëm mundësinë të vizitojmë edhe Muzeun e FSHF-së, duke u njohur nga afër me historinë e lavdishme të futbollit shqiptar, me momente që kanë frymëzuar breza të tërë sportdashësish.

Ky akt nuk përbën kërcënim për askënd, përkundrazi, ai thellon bashkëpunimin dhe mirëkuptimin midis njerëzve. Të vetëdijshëm se sporti, e veçanërisht futbolli, shërben si urë lidhëse mes komuniteteve, besojmë se prania dhe veprimtaria e FSHF-së në Luginë do të jetë në shërbim të këtij misioni fisnik.

Falënderoj nga zemra presidentin Duka dhe gjithë ekipin e FSHF-së për qasjen e hapur dhe përkushtimin e treguar ndaj Bujanocit dhe Luginës.

Ky është vetëm fillimi i një rruge të re, ku sporti do të bashkojë më shumë se kurrë njerëzit tanë dhe do të krijojë mundësi reale për të rinjtë e Luginës.

 

 

Shpërndaj me të tjerët