Bullizmi si sjellje e keqe

Nga Dr. Arvesa Studenica

Bullizmi është sjellje e qëllimshme dhe e përsëritur e cila synon dominimin dhe uljen e tjetrit, në mënyra te ndryshme, me fjalë(ofendime, nofka), brenda shoqërisë (përjashtim, thashetheme), fizikisht (shtyrje, goditje) ose online (mesazhe ofendues, komente, shpërndarje fotosh pa leje). Ndonjëherë duket si shaka, por nëse të lëndon, nuk është shaka.

Bullizmi nuk është pjesë normale e rritjes. Dëmton mirëqenien duke të bëre të ndihesh i pasigurt, i mërzitur ose i zemëruar.

Vështirëson përqendrimin në mësime, çrregullon gjumin dhe të shtyn të tërhiqesh nga shoqëria.

Disa mund të reagojnë edhe në mënyre impulsive me nervozë dhe shpërthime.

Kur përjetojmë bullizëm,  trupi vihet në tension dhe stres; si pasojë bëhet më e vështirë të qetësohemi dhe të kontrollojmë emocionet.

Bullizmi i vazhdueshëm krijon ndjenjë pasigurie dhe kur dëgjojmë shpesh fjalë negative për veten, me kalimin e kohës mund të fillojmë të i’u besojmë këtyre fjalëve dhe rrjedhimisht na ulet vetëbesimi.

Nëse të ndodh ty: mos e fajëso veten dhe mos e vazhdo ciklin e bullizmit. Ndal, merr frymë thellë që trupi të qetësohet, pastaj shko në një vend ku ndihesh i sigurt, te prindi, te mësuesi, kujdestari, ose psikologu i shkollës. Nëse ndodh online, mos e vazhdo bisedën.

Ruaj prova, blloko personin dhe njofto një të rritur të besuar. Kështu i jep fund situatës dhe mbron veten.

Nëse dikush të thotë “mos e bëj të madhe”, kujto se për t’u mbrojtur duhet ta trajtosh çështjen me seriozitet.

Nëse të provokojnë para të tjerëve, mjafton të thuash qartë se një sjellje e tillë nuk tolerohet.

Nëse e vëren që dikush po bullizohet: mos harro se ndikimi juaj mund të jetë i madh sesa që ju mendoni.

Edhe një fjali e thjeshtë mund ta ndryshoj situatën. Edhe nëse nuk reagon menjëherë, mund t’i afrohesh më vonë dhe të thuash: “A je mirë?” ose “Hajde rri me ne.” Mund ta largosh personin e bullizuar nga vendi i ngjarjes. Shpesh mjafton që një person të veprojë dhe të tjerët e ndjekin.

Nëse vetë ke qenë bullizues: ke qeshur, ke shpërndarë diçka, ke lënë dikë jashtë, kjo nuk të përcakton si bullizues përgjithmonë, por megjithatë ke përgjegjësi.

Ndal dhe mendo si është ndjerë tjetri. Kërko falje qartë, pa justifikime. Rregullo çfarë mundesh: fshij postimin, mos e shpërndaj më, kthe materialin.

Kujto se mësojmë nga gabimet, dhe duhet të përpiqemi të bëhemi version më i mirë i vetes.

Hapësirat ku qëndrojmë bëhen më të sigurta me gjëra të vogla, duke mos përdorur nofka poshtëruese, duke mos përqeshë me trupin, familjen apo prejardhjen e dikujt dhe duke përfshi të gjithë në grup.

Nëse gabon, kërko falje dhe përmirësoje. Nëse sheh dikë vetëm, ofroji një vend pranë teje.

Këto duken të vogla, por mund t’ia ndryshojnë ditën apo edhe jetën dikujt.

Pra, ne nuk mund të kontrollojmë sjelljen e të tjerëve, por mund dhe duhet të kontrollojmë sjelljen tonë.

Sa herë që themi “mjaft”, për veten ose për një bashkëmoshatar, e ndërpresim ciklin e bullizmit dhe vendosim kufinjë të shëndetshëm.

E ky pra, është kuptimi i vërtetë i guximit, të qëndrosh i drejtë edhe kur është më e vështirë, edhe kur të tjerët kundërshtojnë, edhe kur është më e lehtë të heshtësh.

 

 

Shpërndaj me të tjerët