Cakolli: Vetëm një mandat ende në lojë, ndarja e ulëseve pothuajse e mbyllur

 

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka publikuar një përllogaritje të detajuar lidhur me ndarjen e mandateve në Kuvendin e Kosovës, duke theksuar se hapësira për ndryshime është tashmë shumë e kufizuar.

Sipas tij, pa u numëruar kanë mbetur maksimalisht rreth 5 mijë vota me postë, prej të cilave rreth 1 mijë vota janë në kuti që aktualisht janë në proces numërimi, si dhe rreth 3,500 vota të tjera që pritet të procedohen gjatë ditës së nesërme.

Me këtë volum votash dhe trendin aktual, mundësia për ndryshime në shpërndarjen e mandateve është minimale.

Cakolli vlerëson se i vetmi mandat që matematikisht mbetet ende në garë është mandati i 15-të i LDK-së përballë mandatit potencial të 58-të të Lëvizjes Vetëvendosje.

Të gjitha mandatet e tjera, sipas tij, janë praktikisht të mbyllura.

Ai thekson se në kutitë e fundit të numëruara, LVV ka shënuar një rënie të lehtë prej rreth 0.6 pikë përqindje, ndërsa LDK një rritje pothuajse të njëjtë.

Si rezultat, aktualisht koeficienti i 15-të i LDK-së është 8,378, ndërsa koeficienti i 58-të i LVV-së është 8,329, çka nënkupton një epërsi prej rreth 50 pikësh në favor të LDK-së.

Sipas përllogaritjeve, nëse trendi aktual vazhdon (rreth 73% për LVV-në dhe rreth 10% për LDK-në), LVV do të përfundojë me rreth 486 mijë vota, që prodhon një koeficient prej afërsisht 8,386, ndërsa LDK me rreth 126 mijë vota dhe një koeficient prej rreth 8,408.

Edhe në këtë skenar, mandati i 15-të do t’i mbetej LDK-së, me një avantazh prej rreth 20 pikësh.

Cakolli shton se që LVV ta fitojë mandatin e 58-të, do të duhej të merrte gati 80% të votave të mbetura me postë, ose që LDK të binte nën 9%, dy skenarë që, sipas tij, bazuar në trendin aktual, janë pothuajse të pamundura.

Në përfundim, ai thekson se me të dhënat aktuale, skenari më i mundshëm mbetet shpërndarja e mandateve 57-22-15-6, ashtu siç ishte parashikuar që në fazat e hershme të numërimit, përveç në rast të ndonjë devijimi të madh dhe të papritur nga trendi aktual.

 

 

Shpërndaj me të tjerët