Kënga “Çane kala”, e interpretuar nga këngëtarja Lumturie Shabani Taria, krijoi një moment të veçantë mbrëmë në skenën e qytetit Kocaeli në Turqi, gjatë natës së dytë të festivalit ndërkombëtar “Ballkan Fest 2025”.
E kënduar me emocion dhe përkushtim të thellë, kënga u dedikua si një dhuratë simbolike për Kryetarin e Qytetit të Kocaelit, në shenjë falënderimi për mikpritjen dhe mbështetjen ndaj pjesëmarrësve të festivalit. Momenti u përjetua me duartrokitje të gjata dhe emocion të ndarë me publikun shumëkombësh që kishte mbushur hapësirën e festivalit.
Ansambli “Gjilani”, në përbërje të të cilit bën pjesë këngëtarja Taria, u paraqit me një program të pasur artistik që përfshinte valle burimore dhe këngë tradicionale shqiptare. Performanca e tyre solli ngjyra, ritme dhe emocione shqiptare në një skenë ndërkombëtare, duke i bërë pjesëmarrësit të ndihen më afër kulturës sonë.
Kjo pjesëmarrje po dëshmon se kultura shqiptare është e gjallë, me vlera që tejkalojnë kufijtë, duke krijuar ura miqësie përmes artit dhe trashëgimisë shpirtërore.
Në ditët në vijim, Ansambli “Gjilani” do të vazhdojë përfaqësimin me krenari në “Ballkan Fest 2025”, duke mbajtur të ndezur frymën e traditës shqiptare në Kocaeli të Turqisë.