Sot, në orën 18.00 në Washington do të hidhet shorti i Botërorit.
Nga 48 skuadra pjesëmarrëse, deri më tani janë mësuar 42 prej tyre, ndërsa 6 vendet e mbetura do të përcaktohen në mars.
Vendet pritëse si SHBA, Kanada dhe Meksikë hyjnë në vazon 1.
Skuadrat e Play Off si Shqipëria apo Kosova, natyrisht që pozicionohen në vazon e katërt.
Çdo grup do të ketë të paktën një ekip evropian dhe jo më shumë se dy. FIFA ka miratuar një strukturë renditjeje për të siguruar që katër vendet me renditjen më të lartë, Spanja, Argjentina, Franca dhe Anglia, nuk mund të takohen deri në gjysmëfinale, nëse fitojnë grupet e tyre përkatëse.
Trajneri i Kosovës, Franko Foda nga Washingtont theksoi se dardanët kanë shanse për botëror.
“Kur je pjesë e shortit, ndihesh sikur je në Kupën e Botës. Edhe pse ende nuk jemi zyrtarisht aty, besimi ekziston. Duhet të fitojmë dy ndeshje dhe ne besojmë se mund t’i fitojmë. Ai vlerësoi disa prej lojtarëve që janë bashkuar së fundmi me kombëtaren, duke përmendur veçanërisht Fisnik Asllanin dhe Albian Hajdarin, të dy pjesë e Hoffenheim, të cilët e kanë ngritur nivelin e ekipit’, ka thënë Foda. Sipas tij, Kosova ka një ekuilibër shumë të mirë mes lojtarëve të rinj dhe atyre me përvojë.
“Sllovakia, rivali i Play Off, gjysmëfinalja- Sllovakia fitoi 2:0 ndaj Gjermanisë dhe kjo tregon forcën e saj. Por nëse duam të jemi në Kupën e Botës, duhet t’i fitojmë të dyja ndeshjet. Jemi në formë të mirë, më të vetëbesuar se kurrë dhe bindja jonë është se mund t’i mposhtim këto ekipe”, ka thënë me optimizëm Foda.
Kosova luan në gjysmëfinale të Play off ndaj Sllovakisë, ndërsa në rast kualifikimi, pret në Prishtinë fituesin e Turqi–Rumani.
Vlen të theksojmë se Shqipëria e Sylvinhos, në mënyrë që të shkojë në Botëror duhet të kalojë pengesën e Polonisë në Varshavë dhe në finalen e Play Off do të gjejë fituesin e Ukrainë-Suedi.

