Trajneri i KF Gjilani, Debatik Curri, ka folur para përballjes së rëndësishme ndaj FC Prishtina, duke e cilësuar këtë sfidë si tejet të rëndësishme për skuadrën e tij.
Curri theksoi se kundërshtari ka zhvilluar një sezon të mirë dhe aktualisht ndodhet në krye të tabelës, por Gjilani është i përgatitur maksimalisht për këtë ndeshje.
“Është një ndeshje shumë e rëndësishme. Prishtina ka bërë një sezon të mirë dhe është në krye të tabelës. Ne jemi përgatitur për këtë ndeshje dhe jemi në gjendje të mirë psikike, fizike dhe taktike”, ka deklaruar Curri.
Ai shtoi se skuadra vjen pas një ndeshjeje të vështirë në javën e kaluar, por shpreson që kushtet të jenë më të favorshme në këtë përballje.
“Kemi kaluar një ndeshje të vështirë javën e kaluar. Nesër shpresoj që kushtet të jenë më të mira. Duhet të japim maksimumin për t’i marrë pikët e plota. Kemi punuar mjaftueshëm që të mos pranojmë gola”, u shpreh Curri.
Gjilani synon një paraqitje solide dhe rezultat pozitiv ndaj Prishtinës, në një duel që pritet të jetë ndër më interesantët e xhiros.

