Stafi dhe studentët e Fakultetit të Shkencave Sociale dhe Fakultetit Juridik të Universitetit Publik “Kadri Zeka” realizuan një vizitë zyrtare në Universitetin Shtetëror të Tetovës (USHT).
Delegacioni i UKZ-së u prit nga Dekani i Fakultetit Juridik të USHT-së, prof. dr. Safet Emruli, si dhe nga prof. dr. Afet Mahmuti.
Gjatë takimit u zhvillua një diskutim i hapur mbi mundësitë e avancimit të bashkëpunimit ndërmjet dy universiteteve në disa dimensione akademike dhe institucionale.
Në fokus të diskutimeve ishin mundësitë për vazhdimin e organizimit të konferencave të përbashkëta shkencore, krijimi dhe zhvillimi i programeve të mobilitetit për stafin dhe studentët, si dhe inicimi i programeve të përbashkëta studimore, me theks të veçantë në ciklin e studimeve master.
Të dy dekanët, prof. asoc. dr. Selim Daku dhe prof. dr. Safet Emruli, u pajtuan për rëndësinë e vazhdimit të komunikimit dhe koordinimit institucional, me qëllim konkretizimin e këtyre iniciativave në aktivitete të ardhshme konkrete.
Në kuadër të kësaj vizite, stafi dhe studentët e Fakultetit të Shkencave Sociale të UKZ-së realizuan gjithashtu një vizitë në kampusin e USHT-së, ku u njohën nga afër me infrastrukturën, ambientet mësimore dhe kushtet e ofruara për studentët dhe stafin e Fakultetit Juridik të USHT-së.
Vizita të tilla paraqesin një hap të rëndësishëm në thellimin e bashkëpunimit ndëruniversitar dhe në avancimin e shkëmbimit akademik ndërmjet universiteteve shqiptare.
