Një delegacion nga Fakulteti Pedagogjik në Zug, Zvicër (PH Zug), ka vizituar shkollën 9-vjeçare “Rexhep Elmazi” në Gjilan dhe është shprehur i mahnitur nga niveli i lartë i punës arsimore, rendi, rregulli dhe përkushtimi i stafit në procesin e mësimdhënies dhe mësimnxënies.
Delegacioni përbëhej nga Prof. Sabina Stub, rektorja e PH Zug, Prof. Dr. Esther Kamm, prorektori Prof. Dr. Clemens Diesbergen dhe anëtarë të tjerë të stafit akademik, të cilët u pritën nga drejtuesit e shkollës, Remzi Baliu, ushtrues i detyrës së drejtorit, dhe Ismet Selmi, ushtrues i detyrës së zëvendësdrejtorit, së bashku me stafin mësimor.
Gjatë vizitës, mysafirët panë nga afër funksionimin e shkollës, disiplinën dhe cilësinë e procesit arsimor, duke vlerësuar se standardet dhe praktikat e aplikuara janë në nivel të lartë.
Delegacioni zviceran u nda tejet i kënaqur me atë që pa, duke e cilësuar shkollën si një model frymëzues të përkushtimit ndaj arsimit dhe edukimit cilësor të brezave të rinj.
Për këtë vizitë, ushtruesi i detyrës së zëvendësdrejtorit, Ismet Selmi, u shpreh:
“Ishte kënaqësi t’i takojmë dhe të shkëmbejmë informacione me këta njerëz të përkushtuar për arsimin dhe edukimin e të rinjve.”