Derbi i javës së gjashtë: Ballkani pret Dritën në Suharekë

 

Derbi i javës së gjashtë të Albi Mall Superligës së Kosovës në futboll do të zhvillohet të enjten  në Suharekë, ku nënkampioni Ballkani do të përballet me kampionin aktual, Dritën e Gjilanit. Ndeshja nis në ora 15:00 në Stadiumin e Qytetit.

Para kësaj përballjeje, portieri i Dritës, Faton Maloku, është shprehur se ekipi është përgatitur maksimalisht.
“Jemi munduar të përgatisim ndeshjen në aspektin psikik, fizik dhe taktik. Duke respektuar skuadrën e Ballkanit, presim me padurim të japim maksimumin,” tha Maloku.

Edhe kryetrajneri i Dritës, Zekirja Ramadani, e cilësoi Ballkanin rival direkt për objektivat sezonalë.
“Ballkani ka cilësi, si në aspektin kolektiv ashtu edhe individual. Por unë gjithmonë besoj te ekipi ynë, te cilësia jonë. Kemi analizuar kundërshtarin, i cili është në super formë. Ne kemi punuar për ta ndalur Ballkanin si skuadër, jo si individ,” theksoi Ramadani.

Ai shtoi se beson te eksperienca e futbollistëve të tij për ta përballuar ndeshjen:
“Klubi do të japë atomin e fundit në fushë për të arritur objektivin.”

Sa i përket formës, Drita pas pesë ndeshjeve ka 1 fitore, 2 barazime e 2 humbje, me golavarazh 5:6, dhe ndodhet në pozitën e 8 me 5 pikë. Në anën tjetër, Ballkani është i pamposhtur me 2 fitore dhe 3 barazime, golavarazh 10:5, duke u renditur në pozitën e 3 me gjithsej 9 pikë.

Mbetet të shihet nëse Drita do t’i shkaktojë humbjen e parë skuadrës portokalli të Suharekës, apo Ballkani do të vazhdojë serinë e rezultateve pozitive.

 

 

 

Shpërndaj me të tjerët