Derbi pa fitues në kryeqytet, Prishtina dhe Drita ndajnë pikët

Sfida kryesore e javës së 22-të në Albi Mall Superligën e Kosovës ndërmjet Prishtinës dhe Dritës ka përfunduar në baraspeshë, me rezultatin e barabartë 1:1.

Ky barazim ka sjellë lëvizje të rëndësishme në kreun e tabelës, duke e bërë garën për titull edhe më dramatike.

Ndeshja nisi me kujdes nga të dyja palët, por fundi i pjesës së parë solli epërsinë për vendasit. Në minutën e 43-të, sulmuesi i Prishtinës, Ilievski, shfrytëzoi një dalje të gabuar të portierit Maloku.

Me një gjuajtje inteligjente nga largësia, ai e paraboloi gardianin gjilanas duke kaluar ekipin e tij në avantazh 1:0.

Drita rriti presionin dhe arriti të barazonte shifrat në minutën e 54-të. Pas një krosimi në zonë, sulmuesi Blerim Krasniqi u tregua i vëmendshëm dhe me një goditje të saktë nga afërsia, tundi rrjetën për 1:1.

Pas barazimit, loja u hap tërësisht dhe të dyja skuadrat patën raste për të shënuar, por rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund.

Ky barazim, i kombinuar me fitoren e Ballkanit në këtë xhiro, ka ndryshuar balancat në tabelë, Drita dhe Ballkani tani ndajnë vendin e parë me nga 39 pikë secila. Prishtina mbetet në hap me krerët, duke u pozicionuar në vendin e tretë me 37 pikë.

Ky rezultat dëshmon se lufta për trofeun e këtij sezoni do të jetë e luftuar deri në xhiron e fundit, ku diferenca mes tri skuadrave të para është vetëm dy pikë.

 

Shpërndaj me të tjerët